Friday, September 14, 2018

Provokacia e prostitutës së vëmendjes

Ideja e paargumentuar e Mustafa Nanos se shumë shqiptarë, sidomos ata të Kosovës, kanë gjak serbi nuk duhet para si tragjike. Duhet të shihet si një ide e një njeriu që prej kohësh ka zgjedhur provokimin për të marrë vëmendjen e publikut si “prostitutat e vëmendjes”. Për gjakun e shqiptarëve duhet të diskutohet në kontekst të atij të derdhur prej 100 vitesh, prej 50 mijë shqiptarëve të vrarë nga pushteti i Titos e 15 mijë të Milloshevicit.

“...në gjakun serb ka shumë prej Shqipërie, ashtu si në gjakun shqiptar, sidomos në Kosovë, ka shumë prej Serbie...”.
Kjo fjali është marrë seriozisht në Kosovë sikur të dilte nga goja e ndonjë shkencëtari të gjenetikës molekulare. Ose të ndonjë hulumtuesi i ndonjë instituti që merret me prejardhjen e popujve të Ballkanit.
Kjo fjali, saktëesisht është thënë nga analistit Mustafa Nano, i cili prej kohësh ka zgjedhur provokimin për të marrë vëmendjen e publikut si “prostitutat e vëmendjes”.
Shpjegimi për togfjalëshin “prostitutë e vëmendjes”, që përdoret nga anglisht-folësit si “attention whores”, sipas fjalorëve të gjuhës angleze, është kur një person bën gjithçka që të marrë vëmendjen e publikut. Për të arritur këtë, ai bën edhe provokime me të vetmin qëllim që të bie në sy qoftë për mirë qoftë për keq. 
Fjala provokim, sipas fjalorit të gjuhës shqipe, ka kuptimin e një veprimi që bëhet qëllimisht për të provokuar dikë, për të nxitur njërin kundër tjetrit, për të shkaktuar grindje, për të provuar dikë a për të zbuluar synimet e vërteta të dikujt.
Pra dy shpjegimet për ‘prostitutën e vëmendjes’ dhe të fjalës “provokim”  i bien tamam Mustafa Nanos, i cili në shkurt të këtij viti nisi një emision duke e emërtuar në serbisht “provokacia” me të vetmin qëllim që të provokojë shqiptarët, sidomos ata të Kosovës, në mënyrë që të marrë vëmendje sa më të madhe. Ndoshta, nuk duhet parë gjithmonë negativisht një përpjekje të tillë kur dihet se jetojmë periudhën e hiperinformacionit, të kohës kur mediet e llojllojshme ofrojnë mijëra informacione në ditë; kur për një ditë transmetohen qindra emisione vetëm në hapësirën shqiptare, diskutohen e mbyllen dhjetëra tema sa “hape e mbyll sytë”. Por, thuajse nuk kanë fokus në asgjë. Në këtë zallmahi  është vështirë të biesh në sy, prandaj, duhet të bësh provokime të tilla.
Në këtë frymë, idetë e Nanos si për gjakun serb, si për emërtimin e emisionit “Provokacia” janë në funksion të marrjes së vëmendjes së medieve, e të publikut për më shumë famë. Rrjedhimisht, të fitojë sa më shumë lekë. Tipike në natyrën pragmatike dhe praktike të Mustafa Nanos që pati tentuar të bëhet “lajm botëror” kur në një emision televiziv tha se rri në shtëpi pa brekë.
Funksioni i dytë i konstatimit të paargumentuar të Nanos, se shqiptarët e Kosovës kanë gjak serbi, në thelb, është nxitja dhe thellimi i ndarjeve ndërmjet shqiptarëve që jetojnë nëpër vende të ndryshme të Ballkanit. Në njëfarë mënyrë, ideja e Nanos është e ngjashme me teoritë mediokre të ‘prostitutave të vëmendjes’, që dikur nisën të shpikin idenë se shqiptarët nuk janë vetëm shqiptarë, por janë edhe kosovarë se jetojnë në Kosovë,  se janë maqedonas se jetojnë në Maqedoni, se janë edhe serbë se jetojnë në Serbi, se janë grekë se jetojnë në Greqi.
Pra, dëmi i shkaktuar nga këto debate të bëra nga ata që dëshirojnë vëmendje më çdo kusht, me pseudeo tema, është i madh kur shihet mungesa e përfshirjes së publikut në debate përmbajtjesore për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve; për përmirësimin e arsimit e shëndetësisë; për ngritjen e ekonomisë e kulturës së dy vendeve.
Është antishqiptare dhe johumane që për shkak të Nanos t’i gjykojmë vajzat shqiptare që shiten dhe martohen tragjikisht për pleqtë serbë dhe t’i bëjmë pjesë e këtij debati për t’u treguar shqiptarëve se kush është më serb se tjetri.
Në anën tjetër, kur Nano i quan shqiptarët e Kosovës se janë serbë, ose kane gjak serbi, nuk e besoj te ketë fyer asnjë prej nesh nga Kosova, sepse atij nuk i dhamë shansin të përjetojë delirin e tij të përuljes së Kosovës.
Kur Nano thotë se vajzat shqiptare kanë fjetur me serbë, ndoshta është e padrejtë që këtu t’i rrëfehet një prej mijëra viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. E po ia kujtojmë: në trupin e saj ka të gravuara me thikë kryqin ortodoks serb. Te përdhunuesit të saj. Të atyre qe lanë gjurmë të vdekjes në Kosovë. Tek ne i thonë: të flesh me armikun. Por Nano nuk e ka gjetur armikun tek Zorani në Beograd. E gjeti ne Kosove tek akëcili shqiptar, sepse Kosova iu bë barrierë për miqësitë e tij. Dhe, armiku për Nanon është cilido që do ta pengonte të ecte drejtë Beogradit. Por sërish, rruga për në Beograd kalon nëpër Kosovë.
Vazhdimi i diskutimit se “shumë shqiptarë të Kosovës kanë gjak serbi” është i njëjtë sikur të vazhdojmë me debatin e nisur në shtator të vitit 2014, nga një korçar, kur tha se gjithë shqiptarët që jetojnë në veri janë kriminelë sikurse Hitleri që kishte thënë për hebrenjtë. Megjithëse, Hitleri i vogël nga Korça ishte tërhequr nga përgjithësimet për një pjesë të shqiptarëve.
Se kush prej shqiptarëve ka gjak serbi, është punë e shkencëtarëve ta vërtetojnë.
Në vend të kësaj teme ne duhet të diskutojmë e të shkruajmë për temën që lidhet, po ashtu me gjakun e derdhur të shqiptarëve për t’u çliruar nga serbët.
Për gjakun e derdhur nga 50 mijë shqiptarët e vrarë nga Tito e 250 mijë të tjerë të deportuar në Turqi.
Për gjakun e 15 mijë viktimave që derdhën gjakun në luftën e fundit për çlirim nga Serbia e Milloshevicit.
Publikuar në:  https://www.gazetaexpress.com/oped/provokacia-e-prostitutes-se-vemendjes-559284/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Saturday, June 2, 2018

Gjykata Speciale, Partia e re dhe porosia e Rubinit

Themelimi i një partie të re politike po shihet si mundësi e mirë për ta çuar në pension një pjesë të skenës politike në Kosovë. Këtë parti duhet ta bëjnë ata që nuk i kanë shërbyer qorrazi deri më sot Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Ramush Haradinajt, Albin Kurtit, Fatmir Limajt ose Ferid Aganit. Kësaj ideje pashmangshëm do t’i ndihmojë edhe themelimi i Gjykatës Speciale, e cila do të eliminojë njerëz nga PDK'ja, AAK'ja, VV-ja e, ndoshta, edhe nga LDK'ja ORA e Veton Surroit dhe FER'i i Shpend Ahmetit e Ilir Dedës ende përmenden si mostra të dështimit të partive kur flitet për opsione të reja në skenën e kriminalizuar politike në Kosovë. E marrin si shembull shuarjen e këtyre dy përpjekjeve për t’i demoralizuar të gjithë ata që mendojnë se mund të themelohet një opsion i ri i mendësisë politike përballë partive kriminale në Kosovë. Dihet se si PDK'ja, LDK'ja dhe AAK'ja deri më tash e kanë fituar pushtetin. E kanë fituar përmes blerjes së votave, përmes premtimeve për rritje pagash, përmes gënjeshtrave për qindra mijëra vende të reja pune. Ndërsa Vetëvendosja i ka fituar votat duke ofruar opsionin se është kundër “partive kriminale”: PDK'së, LDK'së, AAK'së e NISMA's. Pas zgjedhjeve nacionale, edhe anëtari i fundit i VV'së e ka kuptuar se kur vjen puna e pushtetit, edhe Albin Kurti është i gatshëm t’ua shtrijë dorën e bashkëpunimit njerëzve që deri dje i ka quajtur edhe me të drejtë kriminelë, haraçmbledhës, reketues e njerëz që e kanë dëmtuar shtetin me privatizime kriminale. Modeli tjetër Pra, për herë të parë, 16 vjet pas përfundimit të luftës, Kosovës po i nevojitet një parti e re politike e cila nuk gënjen, vjedh, e rrënon qytetarët. Ajo duhet të ketë mision dekriminalizimin e skenës politike. Me njerëz që hyjnë në politikë jo për të gjetur një vend pune. Pra, jo, sikur PDK'ja, as si LDK'ja, kurrsesi si AAK'ja, e as si modeli i Vetëvendosje's. Ekziston hapësirë jashtëzakonisht e madhe për opsionin e ri politik. Kjo parti duhet ta ketë synim përfaqësimin e njerëzve që nuk e shohin veten te asnjëra prej partive parlamentare. Parti e cila synim ka respektin ndaj qytetarit, respektin ndaj të varfërit, e respekton të hendikepuarin, e respekton policin, e respekton shtetin dhe, para së gjithash, e zbaton Ligjin. Dhe jo parti e njerëz që për çdo ditë ankohen se s’po kanë mundësi, s’po kanë kompetenca për të punuar për të mirën e qytetarit. Jo parti që për hir të interesit partiak e sakrifikon të ardhmen e njerëzve të këtij vendi. Jo parti me njerëz që sillen sikur kauboj. Duhet një parti e cila nuk i gënjen qytetarët duke thënë se s’do të qeverisë me këtë apo atë parti. Por, që tregon se do të qeverisë edhe me PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe VV-në, me kusht që të respektohet ligji. Me kusht që banditët të mos jenë në pozita udhëheqëse. Me kusht që kriminelët të dënohen. Me kusht që ekonomia do të zhvillohet. Me kusht që arsimi të zhvillohet e jo rrënohet. Me kusht që drejtësia të mos kontrollohet, por të lejohet të veprojë mbi të gjithë. Sondazhe të shumta, edhe të kohës së zgjedhjeve të fundit nacionale, kanë treguar se qytetarët e Kosovës po e lypin një opsion të ri. Po i kërkojnë njerëzit e rinj. Jo ata që sot janë në Kuvend e nuk i njeh askush. Vetëm një shembull se si sot në Kuvendin e Kosovës kemi njerëz që kurrë në jetën tonë s’i kemi dëgjuar. Apo s’i kemi dëgjuar sepse s’kanë folur ose s’kanë pasur çfarë të thonë. E, në fakt, ata janë aty në emër të popullit dhe votave të tyre. Të jeni të sigurt se aq pak i njohim sot disa deputetë tanë sa nuk e keni as idenë. Për shembull, a keni dëgjuar ndonjëherë për Milazim Halitin? Normalisht se jo, as ju, as unë. Kur jemi te votuesit, a po e njihni Luljeta Veselaj-Gutajn? Normalisht që nuk e njihni. Megjithëkëtë, partinë e re duhet ta themelojnë njerëzit që nuk u kanë shërbyer qorrazi Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Ramush Haradinajt e Albin Kurtit. Pra, nuk duhet të jenë ata njerëz në partinë e re që para disa kohësh kanë qenë në gjendje ta japin edhe jetën vetëm që një ditë t’i shohin Thaçin, Haradinajn, Mustafën apo Kurtin në krye të Kosovës. Largohuni sa jeni në majë të pushtetit Njerëzit që kanë qenë në skenën politike për 15 vjet, sipas mendimit tim, nuk kanë kredibilitet, nuk u beson askush nëse themelojnë parti të re politike. Askush s’i beson nëse nesër, për shembull, Blerim Shala e themelon ose bëhet pjesë e një opsioni të ri politik. Sepse Blerimi deri dje e ka mbrojtur dhe ka punuar pikërisht për modelin e AAK'së. Partinë e re në Kosovë duhet ta themelojnë gjenerata e re e politikanëve që nuk frikësohen të përballen qoftë me komandantë, qoftë me familje historike, qoftë me familje patriotike, qoftë me banditë, qoftë me kriminelë. Pra, njerëz që synim kanë dekriminalizimin e skenës politike. A ka njerëz të tillë në Kosovë? Po, por shumë pak. Por, dijeni se gjithmonë gjërat e mëdha i ka bërë pakica e jo shumica. Pakicë ka qenë Hasan Prishtina. Pakicë ka qenë Shaban Polluzha. Pakicë ka qenë Adem Jashari. Sidoqoftë, hapësira për partinë e re do të rritet edhe me krijimin e Gjykatës Speciale. Kjo Gjykatë do t’i prekë njerëzit kryesorë të PDK'së, AAK'së, NISMA's, VV'së e, ndoshta, dikë edhe të LDK'së. Pra, themelimi i Gjykatës Speciale do ta shënojë edhe fundin politik të një pjese të njerëzve që në Kosovë kanë hyrë në politikë pa e pasur fare idenë se çka është dhe si luhet ky sport. Në fakt, qëllimi final i kësaj Gjykate është largimi i disa njerëzve të fortë nga skena politike qoftë edhe përmes proceseve morbide gjyqësore, ku njeriu dënohet për vrasje e, ndërkohë, s’dihet kush është i vrari e as ku është vrarë... Në fund të nëntorit të vitit 2011, një ish-diplomat amerikan, James Rubin, kishte dërguar mesazhe jashtëzakonshmit të qarta për skenën politike. Kishte bërë thirrje për largimin e një pjese të njerëzve nga skena politike sa janë në kulmin e karrierës sepse dikur do të bëhet vonë. Dhe tash po shihet se është vonë për njerëzit që janë në majë të pushtetit, por jo edhe për Gjykatën Speciale. Porosia e Rubinit kishte qenë tepër e qartë dhe po e citoj saktësisht se çfarë kishte thënë: “Shpresoj se njerëzit të cilët kanë qenë aq të rëndësishëm për revolucionin tuaj, për lirinë tuaj e kanë mençurinë të largohen sa janë në majë të suksesit të tyre”. http://www.gazetaexpress.com/oped/gjykata-speciale-partia-e-re-dhe-porosia-e-rubinit-107495/?archive=1?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Wednesday, September 12, 2012

Gjuha e dy Shqipërive

Edhe gjuhësisht, emri i shtetit shqiptar nuk shkon në shumës, ashtu qysh nuk duhet të vazhdojë pseudo debati i politikanëve për dialektet. Politikanët duhet të flasin për refuzimin e kandidaturës së Shqipërisë për në BE, për luftën kundër korrupsionit, vjedhjen e votave, vrasjen e protestuesve, deklaratat e Withers-it
Ku është Sali Berisha që nuk po flet? 
Ka shkuar në qytetin e tij për t’i ngushëlluar bashkëvendësit për fyerjen që u ka bërë Bamir Topi. Kështu do të duhej të vepronte kryeministri shqiptar, nëse njëmend problemi i ndarjeve gjuhësore është numër një në Shqipërinë e traumatizuar nga politikanët.
Megjithatë, problemi nuk është te përdorimi i gjuhës shqipe nga politikanët dhe shqiptarët, por është tek udhëheqësit politikë dhe shtetërorë që po punojnë keq për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj europiane.
Sali Berisha flet dhe polemizon edhe për ndonjë problem, sado i vogël të jetë, i ndonjë armiku të tij. Por, kësaj radhe ka vendosur të heshtë.
Ai vetë, më vete do t’i lutet Perëndisë, tokës dhe qiellit, kodrave dhe maleve që debati i nisur kot nga Jozefina Topalli dhe Bamir Topi të vazhdojë sa të ketë ymër në pushtet.
Duke folur për gjuhën, Sali Berisha mjeshtërisht po iu ikën problemeve më të mëdha që ka Shqipëria e gjorë, duke filluar nga refuzimi i Komisionit Europian për t’i dhënë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, nga vrasjet që kanë ndodhur më 21 janar, nga vjedhja e votave, nga deklarimet e vërteta të ish-ambasadorit amerikan në Tiranë, të publikuara nga ‘Wikileaks’.
Pse është personazhi kryesor në këtë shkrim Sali Berisha? 
E thjeshtë, sepse Sali Berisha aktualisht e ka fuqinë për të kthyer debatin në zgjidhjet praktike për tejkalimin e problemeve të Shqipërisë.
Për problemin me BE-në, fajtor nuk është vetëm lideri i PD-së dhe kryetarja e Kuvendit, por të njëjtën kosto e mbajnë edhe Edi Rama bashkë me Bamir Topin.
Por, kanë zgjedhur t’i keqpërdorin dialektet e shqipes për t’i qëruar hesapet në mes vete.
Në vend se qytetarët e Shqipërisë të dalin dhe të protestojnë kundër Berishës dhe Ramës që po e mbysin të ardhmen e tyre europiane – ata dalin e bëhen pjesë e lojës së Topallit dhe Topit.
Në vend se të kërkojnë më shumë investime në Shkodër, Elbasan, Durrës, Berat e Sarandë, qytetarët shqiptarë po shndërrohen në plumba në shërbim të politikanëve për t’i goditur kundërshtarët.
Po bëhen pjesë e pseudo debatit të Bamir Topit, i cili ka fituar pozitën e Presidentit duke i shërbyer Sali Berishës. E tash po i shërben duke shpikur marrëzira për dialektet.
T’i kthehemi problemit tjetër të Shqipërisë - tragjedisë së vrasjes së qytetarëve shqiptarë në demonstratën e janarit të organizuar nga Edi Rama, i cili tentoi ta marrë pushtetin përmes rrugës.
Për vrasjen e katër protestuesve, llogari duhet të japin jo vetëm gardianët që qëlluam mbi viktimat, por llogari duhet kërkuar nga Sali Berisha dhe Edi Rama.
Të dy liderët aktualë në Shqipëri, që imitojnë fort Enver Hoxhën, duhet të japin llogari të paktën para familjeve të atyre që humbën jetën për ruajtjen e pushtetit të tyre.
E pushteti në Shqipëri dhe në Kosovë vazhdon të fitohet duke vjedhur vota, duke blerë komisionerë, duke politizuar organet vendimmarrëse dhe duke gënjyer qytetarët se po kërkojnë besimin për t’iu shërbyer interesave të shtetit dhe kombit.
Politikanët në Shqipëri, siç u tha në kabllogramet e amerikanëve, kërkojnë besimin për t’i shërbyer një grupi të caktuar, që është i lidhur me krimin dhe korrupsionin.
Ambasadori John Withers kishte dërguar emra konkretë për njerëzit që kanë poste të larta publike dhe që janë të lidhur ngushtë me krimin, korrupsionin dhe bandat vrasëse.
Në një deklaratë publike, Withers deklaroi se e kishte thënë vetëm të vërtetën.
Kjo e vërtetë u ka shkaktuar shumë trazira njerëzve të pushtetit dhe opozitës shqiptare.
Por, edhe kjo temë është heshtur me aprovimin e Sali Berishës. Tema për të cilën Berisha jep pëlqimin në heshtje për t’u debatuar është: GJUHA.
Sikur edhe çdo gjuhe tjetër, edhe shqipja duhet të plotësohet dhe t’i përshtatet realitetit, por jo nga politikanët, as nga analistët e gazetarët. Për këtë problem duhet ta debatojnë dhe ta modifikojnë ata që janë të thirrur për këtë çështje, gjuhëtarët.
Rreziku i debatit gjuhësor ndërmjet dy politikanëve, që ka infektuar pjesën më të madhe të trevave shqipfolëse, rrezikon të shkaktojë ndarje të reja të kombit shqiptar.
Ky rrezik është shumë i madh, ngase duke i ikur gjuhës standarde dhe duke përdorur dialektet, dallimi ndërmjet shqiptarëve do të rritet. Do të forcohet edhe ideja se shqiptarët nuk janë vetëm shqiptarë, por janë edhe kosovarë (Kosovë), edhe maqedonas (Maqedoni), edhe malazezë (Mali i Zi), edhe serbë (Luginë e Preshevës).
http://www.gazeta-shqip.com/opinion/5ae146ab53e22f5c7f7bee42e0354c8e.html) Koment i botuar me 23.X.2011 ne gazeten Shqip me rastin e debatit per gjuhen.

Thursday, September 10, 2009

Liria e munguar

Përvoja, njohja dhe miqësitë e reja të krijuara gjatë udhëtimit nëpër vendet e Evropës janë gjërat më të çmueshme që do të mbeten në kujtesën time. Qëllimi i udhëtimit është arritur. Për gjeneratat e ardhshme: më pak pritje tek dyert e ambasadave

Faton Ismajli

Pas tre vjetësh studime në Degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës fati më dha mundësinë të jem pjesë e një udhëtimi që rrallëkush ka fatin ta përjetojë. I lodhur nga puna dhe mësimet e shumta të përditshme, mendoja se si do t`i kaloja pushimet këtë verë. Dhe, për këtë ishte përkujdesur Organizata “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut”, e cila kishte hapur konkurs për t`i dërguar studentët e dalluar në një udhëtim njëmujor nëpër Evropë. Në mesin konkurrentëve, ishin zgjedhur studentët më të mirët, për të dalë jashtë kufijve të shtetit më të ri të botës, Republikës së Kosovës.
Ishim të gjithë të rinj që prisnin një PO për ta vulosur pasaportën e re me një vizë Shengen, e cila krijon qasje në shumicën e vendeve evropiane.
Dhe, PO-ja se është vendosur viza në pasaportat na u dha vetëm disa orë para fillimit të udhëtimit për në Berlin. Kjo na ka shkaktuar shumë strese dhe dyshime, pasi nuk ishim të sigurt se a do të pajiseshim me viza. Deri në çastet e fundit asnjëri prej nesh - studentëve - nuk i kishte bërë përgatitjet finale, shkaku i frikës se mos po i refuzohet viza.
Por, ne u pajisëm me viza dhe udhëtuam nga Aeroporti i Prishtinës në qytetin e Shtutgardit të Gjermanisë, ku pastaj vazhduam në kryeqytetin e Gjermanisë – Berlin. Kjo ishte dita e parë e udhëtimit nëpër Evropë.
Të nesërmen u zgjuam me agjendën të cilën e kishin përgatitur organizatorët. Aty ishte paraparë një takim dhe njoftim ndërmjet studentëve të vendeve të Ballkanit.
Të ndarë në 18 grupe, studentëve të gjashtë shteteve iu ndanë detyrat që t’i gjejnë vendet kryesore të Berlinit dhe në këtë mënyrë ta mësojnë sadopak qytetin me tre milionë e gjysmë banorë. Në mbrëmje dëgjuam një ligjëratë të ish-presidentit të Gjermanisë.
Pas Berlinit vazhduam për në kryeqytetin e Holandës. Aty qëndruam dy ditë. E pastaj u nisëm drejt qytetit historik të Belgjikës, Brugges. Në këtë qytet më ka mbetur në kujtesë takimi me një shqiptar të Kosovës, i cili na takoi rastësisht në rrugët e këtij qyteti.
“Ju pashë të veshur sikur turistë, por kur ju dëgjova duke folur shqip, s’u besoja veshëve”. Këto ishin fjalët e pejanit Artan Demajt, i cili na takoi në qytetin e Brugges të Belgjikës.
Artani na tregoi se kishte emigruar në vendet e Evropës dhe kishte kaluar kufij jo nëpër rrugë normale, sikur kishim shkuar ne, por nëpër male. Dhe, kur na kishte dëgjuar që ne flisnim shqip dhe jemi nga Kosova, ai çeli zemrën dhe na ftoi për kafe. Pa hezitim pranuam ftesën e tij dhe shkuam në vendet, ku ai vendosi të na qerasë. Ai tregoi përvojat e tij dhe vështirësitë që ka pasur derisa ka arritur të bëjë diçka jashtë vendlindjes së tij. Tha se ka fjetur nëpër parqe, ka bërë gjëra jo të mira, vetëm e vetëm që ta sigurojë jetesën larg familjes.....po edhe ta mbajë ekzistencën e familjes në Kosovë.
Por numri i shqiptarëve që jetonin në këtë qytet ishte i madh. Kur u vendosëm në hostellin, aty recepcionistja na përshëndeti me “Mirëdita!”. Dhe, ne menjëherë u interesuam prej nga ka mësuar këtë fjalë kjo belge.
Ajo na tha se shqipen e ka mësuar sepse ka pasur kontakte me shqiptarë si të Kosovës ashtu edhe të Shqipërisë. E kontakte të vazhdueshme, ajo kishte me një burrë dhe një grua nga Kosova të cilët punonin si pastrues në objektin ku u vendosëm ne.
I takuam të dytë dhe folëm me ta. Të nesërmen u nisëm për Bruksel dhe shqiptari që punonte aty si pastrues tentoi të na paguante nga një kafe. Ne nuk e lejuam, dhe ai mori nga një kimikë dhe na dhuroi të gjithëve nga një. Fjalët e fundit që na i tha ishin: “Punoni në Kosovë sepse ne presim shumë prej jush”.
U nisëm drejt Brukselit, të lodhur pak, ngase kishim bërë më shumë se 2 000 kilometra prej se kur kishim lëshuar Kosovën. Vizituam qytetin e politikës, vendin ku kohë më parë u vendos se Kosova do të jetë jashtë listës së bardhë të Shengenit. Aty ku vendoset se cilët qytetarë do të duhet të presin para ambasadave për t`u pajisur me vizë, e cilët jo.
Pas këtij qyteti vazhduam vizitat në Paris, Bernë, Curich, Frankfurt, Munchen, Strasburg, Wien dhe disa qytete të tjera.
Megjithëkëtë, liria që na mungon në Kosovë për t’i vizituar vendet e tjera është shumë e rëndësishme për shumëkënd, e jo vetëm kështu në mënyrë të organizuar, siç ishim ne studentët. Na u dha mundësia të shëtisim shumë vende të Evropës. Ky udhëtim na ka mësuar shumëçka. Na mësoi se mundësitë që i kemi në vendin tonë për të ecur përpara nuk i kemi edhe në vendet e tjera. Mësuam se përfundimisht duhet t`i shikojmë gjithsecili punët e veta në mënyrë që të ecim në hap me bashkëmoshatarët tanë të vendeve të Evropës.
Ndoshta, jo vetëm këtë vit, por edhe në vitet e tjera qytetarët e Kosovës do të duhej të presin në rend për t`u pajisur me një vizë. Por, përfundimisht qeveria jonë duhet të mendojë për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos maltretohen duke pritur para dyerve të ambasadave një vizë, e cila, edhe ashtu nuk ka shumë vlerë. Kjo, për shkak se, viza për të cilën ne po bëhemi copë për ta marrë, nuk të ofron asnjë mundësi, përpos asaj që ti je i lirë t’i vizitosh vendet e Shengenit.
Përvoja, njohja dhe miqësitë e reja të krijuara gjatë udhëtimit nëpër vendet e Evropës janë gjërat më të çmueshme që do të mbeten në kujtesën time. Qëllimi i udhëtimit është arritur. Për gjeneratat e ardhshme: më pak pritje tek dyert e ambasadave.
Viti i ardhshëm pritet të jetë shumë i rëndësishëm sidomos për kosovarët, pasi së bashku me banorët e Bosnjës dhe Shqipërisë janë të vetmit që mbetën jashtë liberalizimit të vizave. Sipas deklaratave të krerëve të institucioneve të vendit tonë, ndoshta janari i vitit 2010 do të jetë do të ndryshojë diçka në të mirë të qytetarëve të Kosovës, nga i cili vendi ynë të mos cilësohet më si geto në mesë të Ballkanit, por të jemi në hap me vendet e rajonit. Për të ndodhë kjo duhet një punë e madhe e gjithsecilit në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare të parashtruara nga BE-ja. Nga ky udhëtim, nuk morëm me vete eksponate të bukura kulturore të qyteteve të ndryshme evropiane, e as shoqërinë e atyre shteteve. Mirëpo, morëm me vete vetëm një shembull, se vetëm me punë arrihen ato që i gëzojnë sot shoqëritë evropiane. Dhe, padyshim, ajo që më së shumti ishte e rëndësishme, që një mundësi e tillë duhet ta ketë çdo qytetar i Kosovës, e për këtë nevojitet liberalizimi i vizave.